Superliga nis sot me Partizani-Teuta në “Elbasan Arena”

Sezoni i ri nis në “Elbasan Arena”. Aty ku kombëtarja përfundoi dy ndeshjet eleminatore të Kupës së Botës, Superliga do të luajë sfidën e parë të këtij edicioni. Partizani pret Teutën sot në orën 19:45, dhe është një duel interesant mes një pretendenti për titull dhe kampiones në fuqi. Të dyja skuadrat kanë shumë ndryshime në krahasim me sezonin e kaluar, ndaj edhe është e vështirë të vlerësosh se cila do të jetë favorite për ndeshjen e sotme. Partizani i trajnerit Ilir Daja ka bërë shumë afrime, por dy blerjet më të rëndësishme nuk luajnë sot. Ergys Kaçe dhe Esat Mala nuk janë gati fizikisht.

Teuta fitoi titullin kampion sezonin e kaluar pikërisht në javën përmbyllëse, ndërsa Partizani ishte pretendent deri në fund. Nga katër ndeshjet e vetshme, tre përfunduan në barazim, ndërsa të kuqtë arritën një fitore në Durrës. Të kuqtë nuk mundën të luanin në kryeqytet sepse fusha e “Arenës Air Albania” nuk është ende gati, ndërsa në “Selman Stërmasi” luan nesër Tirana. Dy ndeshje të tjera të javës së parë do të luhen nesër, dhe pikërisht Tirana-Skënderbeu e Laçi-Vllaznia, ndërsa të dielën do të jenë dy sfidat e fundit, Kastrioti-Dinamo dhe Egnatia-Kukësi.

Sfidanti.al