Superliga: “Ndez” vetëm Partizani, Egnatia nuk do t’i ndahet elitës!

Fitore pati vetëm një. Atë e arriti Partizani në “Elbasan Arenë” ndaj Teutës, në një nga ato ndeshje që nuk kanë qenë kurrë të lehta për të kuqtë. Ekipi i trajnerit Dritan Mehmeti ia doli 2-1 me përmbysje, ndërsa gjatë këtij viti ka qenë ndoshta më i miri në Abisnet Superligë, bashkë me Tiranën kryesuese. Ish-lojtari i Dinamos, Skuka, dhe mbrojtësi Bitri, ishin autorët e golave që përmbysën avantazhin e përkohshëm të durrsakëve me anë të Ivanoviçit. Për Partizanin, fitorja ishte e rëndësishme sepse e lejoi të kalonte Vllazninë në renditje duke pasur 41 pikë ndaj 40 të shkodranëve, e duke u afruar në 4 pikë me Kukësin. Zona europiane mund të arrihet edhe nga kampionati, ndërsa Teuta kampione rrezikon të bjerë nga kategoria.

Vetë Vllaznia nuk ia doli të fitonte ndaj Laçit edhe pse luante në Shkodër. Përfundoi barazim 0-0 me një lojë që iu përgjigj rezultatit, ndërsa në stolin kurbinas u ul për herë tëparë pas rikthimit, trajneri Shpëtim Duro. Laçi mbetet në pozita të mira për vendin e dytë, i sigurt për të qenë në Ligën e Europës sezonin e ardhshëm. Barazim 1-1 në duelin tjetër të së shtunës, atë mes Kukësit dhe Egnatias. Edhe pse veriorët shënuan të parët me anë të Gjelbrim Taipit, nuk e mbajtën dot fitoren. Demir Imeri shënoi një gol të rëndësishëm për rrogozhinasit që i afrohen gjithnjë e më shumë mbijetesës.

Sfidanti.al