Këto kohë nuk po përmendet emri më shumë i njohur i 10 viteve të fundit, ai i Ljuis Hamiltonit. Piloti veteran britanik ndoshta është në kilometrat e fundit të karrierës në moshën 37-vjeçare, por padyshim që mund të jetë i qetë lidhur me faktin nëse do të ketë pasardhës të denjë. Përgjigja është “po”. Vjet ishte Maks Verstapen që luftoi me të “dhëmb për dhëmb” duke i marrë titullin e kampionit të botës në Formula 1, ndërsa këtë vit në “trashëgimi” ka ndërhyrë edhe Sharl Lëklerk i Ferrarit. Piloti nga Montekarlo e vërtetoi sërish vitin e shkëlqyer të “kokëkuqes” italiane që është kthyer protagoniste e madhe pas disa sezonesh.
Lëklerk fitoi provat zyrtare në Melburn, në Çmimin e Madh të Australisë, poli i dytë i tij në 3 gara, ndërsa la sërish pas kampionin e botës, Verstapen me Red Bull. Koha fituese ishte 1’17”868, ndërsa holandezi mbeti prapa për më pak se 3 të dhjetat e sekondës. Kjo do të thotë se gara do të jetë e fortë. Në vend të tretë Sergio Perez po i Red Bullit, ndërsa spanjolli Karlos Sainz i Ferrarit pati një problem me makinën dhe përfundoi i 9-ti. Hamilton doli në vend të pestë, por me gati 1 sekondë vonesë në krahasim me Lëklerkun. Ky i fundit kryeson renditjen me 45 pikë ndaj 33 të Sainzit dhe 25 të Verstapenit.
Sfidanti.al