Starova largohet nga Partizani, të kuqtë ende jo dakord me Milinkoviçin

Nuk është ende zyrtare, por lajmi ka marrë “dhenë”. Sulejman Starova ka dhënë dorëheqjen si trajner i Partizanit. Edhe pse klubi nuk ka njoftuar asgjë, sërish burime brenda tij dhe pranë tij njoftojnë se “Bobi” ia ka deklaruar diçka të tillë presidentit Gazmend Demi. Vetë Starova nuk ka dashur të komentojë, por është mjaftuar të thotë se “nesër do të flas”, pra besohet nesër në mëngjes do të bëhet zyrtarizimi i largimit të tij, ndërsa mund të mbetet këshilltar i Demit. Nuk dihet nëse do të ketë sërish një rikthim në stol, por Starova do të mbahet mend gjithnjë si një nga ish-lojtarët e rëndësishëm të Partizanit, si trajneri që fitoi titullin e fundit në 1993, dhe si ish-sekretar i përgjithshëm i FSHF-së në vitet 1997-2003. “Bobi” fitoi edhe një titull me Tiranën në 2005.

Nuk dihet se cili do të jetë trajneri i ri i Partizanit. Pretendenti kryesor ka qenë serbi Milinkoviç, por besohet se ende nuk është arritur një akord mes palëve. Milinkoviç kërkon të ketë pushtet mbi transferimet e lojtarëve, diçka që ndoshta nuk pëlqehet nga klubi.

Sfidanti.al