Starova bën “Bobin”, Partizani fiton në Kukës dhe nis vërtet sezonin!

Nuk ishte fare as në stol, por ndikimi mbeti I njëjti. Sulejman Starova mund të krijojë respekt dhe antipati, veçse askush nuk mund të mohojë aftësinë e tij si trajner, ashtu siç u pa edhe në Kukës. Në ndeshjen e dytë në drejtimin e Partizanit arriti një fitore të madhe në fushën e kampionëve, sukses I krahasueshëm vetëm me atë të Skënderbeut pak javë më parë.

I mbiquajturi “Bobi”, I riktheu besimin dhe karakterin një skuadre të ndërtuar për titull, por që po përfundonte në luftë për mbijetesën. Edhe pse mbetet thjesht një fitore, kjo e Starovës tregoi se shpesh herë produkti vendas bën më shumë punë në futbollin shqiptar sesa emrat e shquar të marrë edhe nga shkollat e mëdha si ajo italiane.

Starova u përjashtua nga fusha që në minutën e 9-të, pasi Kukësi fitoi një penallti, shans që sulmuesi Guri nuk e la pa shfrytëzuar. Me kampionët në epërsi në fushën e tyre, dhe me kryeqytetasit pa trajner në stol, u mendua më e keqja, por e kundërta ndodhi. Partizani gjeti forcat t’i imponohej vendasve duke I futur në krizë. Përmbysja erdhi brenda pjesës së parë, një tjetër shenjë e forcës së treguar nga të kuqtë, që realizuan golat me anë të Bardhit dhe Prognit.

Pavarësisht se formacioni I trajnerit Milinkoviç ngulmoi në pjesën e dytë, rezultati nuk ndryshoi dhe ekipi i Starovës u mbajt deri në fund. Kjo humbje bëri që kuksianët të mbeten të tretët në tabelë, të lënë pas edhe nga Flamurtari.

Sa shpresë jep ky triumf? Nuk është se kjo fitore ia ndryshon shumë pozitat Partizanit, që mbetet në vendin e 6-të me 14 pikë, 6 pikë larg vendit të dytë dhe me gjysmën e pikëve të Skënderbeut kryesues. Gjithsesi, kur një ekip I ndërtuar për titull hyn në shina, prej tij priten shumë suksese radhazi, pra pretendime të paktën për në Ligën e Europës.

Superligës I duhen bërë urimet më të mira pasi iu rikthye një nga protagonistët kryesorë, ndërsa trajnerit kuksian, Milinkoviç, I duhet uruar fat, pasi nuk është çudi që edhe ta shkarkojnë.

Sfidanti.al