Kush po pyet për penalltitë, Kavani është ende “mbreti” i Francës!

Penalltinë e radhës tek Paris SG do ta gjuajë Nejmar. Vendimin e marrë nga trajneri Unai Emeri e zbuloi i pari për publikun vetë rivali i tij, Edinson Kavani. Sulmuesi uruguajan besohet se u shpreh pa mëri për revistën “4-4-2”, dhe duket se ai ia ka dalë të fitojë një sfidë me vetveten dhe me klubin. Me 15 gola të shënuar, Kavani është shënuesi më i mirë jo vetëm i PSG-së, por edhe i Ligës 1 franceze, e cila për “Këpucën e Artë” ka një duel të modës së “vjetër”, Kavani-Falkao. Sulmuesi i Monakos është në kuotën 13.

Po Nejmar? Braziliani ka deri tani 7 gola nën emrin e tij, jo edhe aq shumë për bujën me të cilën erdhi dhe shumën 222 milionë euro që u pagua për të. E vërtetë, ish-barcelonisti ka dhënë 5 asistë, ndaj dy të Kavanit, por sërish vlerësimi zyrtar me pikë është 28 për uruguajanin dhe 13 për brazilianin. Pavarësisht nga humbja e garës për penalltitë, Kavani po fiton atë të golave, dhe shprejt pritet të kalojë rekordin e Zllatan Ibrahimoviçit. Suedezi ka shënuar 156 rrjeta për PSG-në, ndërsa Edinsoni ka 149 deri tani.

Sfidanti.al