Asnjë futbollist në botë nuk kishte arritur 50 fitore në karrierë në 62 ndeshje në fushë, por ja që këtë e bëri një gjerman. Xhoshua Kimih, mbrojtësi ende në moshë të re i Bajernit, e realizoi këtë “bëmë” në karrierë në suksesin 3-0 që bavarezët arritën ndaj Augsburgut, dhe hyri në librat e historisë.
Në Bundesligë, por edhe në kombëtaren gjermane, ka lavdërime dhe vlerësime të mëdha për Xhoshuan, por ka edhe një pyetje: A do të mundet të bëhet ai po aq i mirë sa ish-kapiteni i Bajernit, Filip Lahm. Ky i fundit arriti gjithçka në karrierë, duke fituar tituj me bavarezët, Championsin, si dhe Kupën e Botës me Gjermaninë, përpara sesa të “pensionohej” këtë verë. Largimi i Lahmit krijoi probleme tek Bajerni i Ançelotit, por duket se prania e Kimihut po ndihet më shumë tek skuadra e Jup Hajnkesit.
Për Kimihun po xhirohet një dokumentar me titullin “Beso në vetvete”. Vetë mbrojtësi 22-vjeçar vlerëson mentalitetin fitues. “Unë nuk mund të duroj të humbas, – tha ai, – kur isha në ekipet e moshave, babai im që ishte trajner, i dha secilit lojtar të njëjtën kohë në fushë. Unë u tërbova pasi doja të luaja gjatë gjithë kohës, ndërsa kur humbëm, u largova dhe qava shumë”. Gjithsesi, tek Bajerni, atij do t’i takojë të qajë shumë më pak, ndonëse ende nuk dihet nëse me Jup Hajnkesin mund ta fitojë Championsin. Sa për Bundesligën, kjo duket e sigurt.
Sfidanti.al