Nuk ka qenë skuadra e vetme që ka pasur përkrahje të fuqishme politike. Skënderbeu vërtet u bë i madh pak artificialisht në verën e vitit 2010 dhe u shpall kampion në maj të 2011-ës, por ndryshe nga shumë shembuj shqiptar të klubeve të rritur “me gjilpëra”, ia doli që të ecte me këmbët e veta. Eleminimi fare pranë fazës së grupeve me Çernomorecin, kualifikimi pastaj për në fazën e grupeve në Ligën e Europës, shitja e dy lojtarëve me çmime të shtrenjta (Peter Olainka e Bernard Berisha) ishin shembuj konkretë.
As përjashtimi 1 vit nga Europa dhe dëmtimi në kampionat ndaj Kukësit, nuk bënë që Skënderbeu ta humbiste fillin. Korçarët janë pranë kualifikimit për në turin e tretë të Ligës së Europës, pas barazimit 1-1 në Kazakistan me Kairatin, ndërsa Liridon Latifi mund të bëhet lojtari i tretë i Superligës shqiptare që të shitet për një shifër të lartë. Kaq të sigurt janë korçarët saqë nuk kanë pranuar ende 800 000 euro për kartonin e kosovarit nga Ostende e Belgjikës. Pikërisht në Belgjikë u shit Olajinka për 1 milionë, edhe pse shumë para u ndanë nga menaxherët.
Skënderbeu ka kuptuar sesi funksionon futbolli në Shqipëri, ndonëse ende nuk po prodhon vete talente në Akademi. Do t’i duhet të bëjë këtë, për t’i ngjarë klubeve më të suksesshëm të para 1990-ës, qoftë në futboll, basketboll apo volejboll, që arrinin suksese europianë. Ndryshimi i vetëm i Skënderbeut sot, është se mund të fitojë shumë para, ndërsa atëherë luhej për një rrogë.
Sfidanti.al