Skënderbeu e nderoi sado pak një kampionat jo pak të njollosur duke i hequr Teutës fitoren nga dora në minutat e fundit. Kryesuesit e Superligës, thuajse 99.99 për qind të shpallur kampionë, mund të pranonin edhe një humbje për t’i bërë nder durrsakëve që rrezikojnë të bien nga kategoria, por nuk e bënë. Nuk dihet se çfarë ndikoi, karakteri i dyshes së stolit Daja-Mema, apo marrëdhëniet jo të mira mes drejtuesve të dy klubeve, por fakt është se Teuta mbeti 4 pikë prapa Vllaznisë së vendit të tretë nga fundit, sërish kandidate kryesore për në Kategorinë e Parë.
Të dyja skuadrat luajtën fort në “Niko Dovana”, duke pasur raste, ndonëse golat erdhën vetëm në pjesën e dytë. Një penallti u dha menjëherë për Teutën dhe Hila nuk gaboi, ndërsa më pas sërish pati raste në të dyja portat. Pasi u dhanë 3 minuta shtesë, Xhejms Adeniji shtangu vendasit me golin në të 92-ën. Teuta ka tani 23 pikë, ndaj 27 të Vllaznisë, ndërsa Skënderbeu u shkëput edhe më shumë, duke pasur tani 57 pikë ndaj 42 të Kukësit që u mund në fushën e Luftëtarit.
Në Vlorë, gjithashtu pati barazim dhe sërish Flamurtati pati pretendime ndaj gjyqtarëve. Kundër vlonjatëve u dha një penallti, në favor të Kamzës, ndërsa sërish kundër tyre u dha karton i kuq për mbrojtësin Bicaj. Raçiç kaloi Kamzën në epërsi 1-0 me penallti, ndërsa vendasit barazuan me rrjetën e afrikanit Sidibe. Flamurtari mbeti me 10 veta pas kësaj dhe Plaku shfrytëzoi epërsinë numerike duke kaluar në epërsi ekipin e trajnerit Ndreu.
Gjithsesi, u dha më në fund një 11-metërsh në favor edhe të vlonjatëve dhe Zhufo nuk gaboi nga pika e bardhë e dënimit maksimal. Flamurtari tani është plotësisht i rrezikuar për kualifikimin në Europë, duke pasur 37 pikë, po aq sa Luftëtari në vend të tretë, ndërsa Partizani ka 36 e Kamza 34.