Nëse do të kishin ecuri normale, Flamurtari – Skënderbeu do të ishte një ndeshje për të mos u humbur. Nesër korçarët do të kthehen aty ku sezonin e kaluar fituan titullin kampion, por tani nuk janë më të vjetshmit. E kanë sërish Partizanin aq afër, sa mund t’i ndjejnë frymëmarrjen, por nuk kanë më në stol Mirel Josën, si dhe janë kthyer në një skuadër që çedon në lojë, por edhe e ka të vështirë ta shtyjë topin për në rrjetë.
Ndërsa Flamurtari është po ai i kampionatit të kaluar. Me shumë probleme dhe i papaguar, aq sa kur fitojnë ndonjë ndeshje të çudisin. Tani duhet pritur edhe disa orë për të parë se çfarë do të ndodhë në stadiumin e Vlorës. A do të kenë mundësi vendasit për të kundërshtuar kampionët dhe a do të mundet Agostineli për të ringjallur Salihin, i cili nën drejtimin e skuadrës prej trajnerit italian ka humbur si asnjëherë më parë? Por të paktën të mos ndodhë si një vit më parë, kur vlonjatët e luajtën ndeshjen me dorën në zemër nga bujaria.