Në Shqipëri trajnerët i heqin, në Angli i durojnë 2 vjet!

Figura që Mançester Junajtid bëri në Europa League ndaj Fenerbahçes ishte shumë e keqe. Një skuadër e madhe, e një trajneri të madh, u dominua nga një kundërshtar që vuri shpirtin në fushë! Gjithsesi, është interesante të bëhet një krahasim sesi përjetohen momente të tilla në Angli dhe në … Shqipëri. Me të përfunduar ndeshja, ish-legjenda e “djajve të kuq”, Pol Skoulls u shpreh se “Murinjos do t’i duhen edhe 2 vjet që të ndërtojë një skuadër të aftë për të rivalizuar për trofe të mëdhenj”.

Një personalitet futbolli si Poli e thotë këtë si gjënë më normale në botë, dhe vërtet është normale. Ai u rrit në një klub dhe nga një trajner të cilit i dhanë 7 vjet kohë për të fituar titullin e parë kampion. Ky trajner quhej Aleks Ferguson.

Po në Shqipëri? Sapo humbet një ndeshje dhe barazohet një tjetër, vetë presidenti (as nuk ka struktura të tjera, dhe as nuk i pyet njeri) nis e mërzitet dhe pendohet që mori “filan” trajner, qoftë ky edhe supertrajner. Njerëzve në tavolinën ku pi kafe presidenti, që futbollin e njohin nga televizori apo vendi i rezervuar në stadium, nuk u pushon goja duke dhënë mendime specialistësh.

Përfundimi dihet, Mançester Junajtid është thuajse e sigurt që do të bëhet i madh pas 2 vjetësh, ndërsa skuadrat shqiptare (me përjashtim të Skënderbeut) vështirë se do të arrijnë të ngrejnë kokë ndonjëherë.

B.Kuka