Skënderbeu ia del edhe i dënuar dhe i gjymtuar, fiton Superkupën ndaj Laçit

Edhe pse i dënuar dhe i përgjysmuar, sërish mbeti fitues. Superkupën e Shqipërisë e fitoi Skënderbeu, ekipi kampion dhe krenaria e futbollit shqiptar në kupat e Europës vitet e fundit. Përballë Laçit tregoi se mund të quhet pretendent për titull, pavarësisht se shumica e yjeve i janë larguar, dhe se në stol tashmë është ish-kapiteni dhe ish-portieri Orges Shehi, në vend të Ilir Dajës.

Kurbinasit u mundën 3-2, edhe pse kaluan të parët në epërsi, dhe ndonëse ishin në formë më të mirë fizike sesa korçarët, duke pasur 4 ndeshje zyrtare në Europë, përballë vetëm miqësoreve që kishte luajtur Skënderbeu.

Lushkja kaloi në epërsi ekipin e trajnerit Artan Mergjyshi, por reagimi i bardhekuqve ishte i menjëhershëm. Aliti barazoi, Bregu fitoi penallti që e ktheu në gol si Panenka, Gjergji Muzaka, dhe vetë Bregu shënoi golin e tretë. Në fund, pati kohë thjesht për të ngushtuar shifrat në 3-2 falë rrjetës së Xhixhës.

Përse një formacion aq i gjymtuar dhe aq i anatemuar ia doli të fitonte përsëri? Natyrisht, është më e lehtë ta bësh në një ndeshje të vetme, ndërsa një sezon i gjatë do të jetë diçka tjetër, po ashtu Skënderbeu mund të jetë ndihmuar edhe nga inercia e trofeve radhazi. Padyshim, që kampionët u ndihmuan nga mungesa e mentalitetit fitues të kurbinasve dhe nga fakti se ekipi i presidentit Laska ka ndërruar 3 trajnerë që nga muaji maj.

Gjithsesi, fitorja e korçarëve ishte një konfirmim i bukur, që jep shpresë se sezoni i ri i Superligës do të jetë sërish i fortë, me Partizanin, Kukësin apo Tiranën, që do të kenë me shumë gjasë edhe konkurrencën e skuadrës më të fortë shqiptare të viteve të fundit.

Sfidanti.al