Totenhemi më në fund fiton trofe, Championsin e verës

Nuk ka bërë asnjë shpenzim këta muaj dhe trajneri Poçetino me të drejtë është i shqetësuar. Totenhemi ishte një lajm i madh në Angli deri në fund të sezonit të kaluar, ndërsa e ardhmja duket e paqartë, veçse të paktën u arrit një kënaqësi. E vogël apo e madhe, këtë mund ta gjykoni ju si lexues, por Spërsat u shpallën fitues të Championsit të verës, të quajtur me emrin e saktë Kupa Ndërkombëtare e Kampionëve 2018.

Ky ishte trofeu i parë i klubit londinez, që nga viti 2008, kur ata fituan Kupën e Ligës në Angli, dhe ai u mor pas sukseseve 4-1 ndaj Romës, 1-0 ndaj Milanit dhe barazimit 2-2 me Barcelonën. Totenhemi e mbylli Championsin e verës me 7 pikë, po aq sa Dortmundi e Interi, por me golaverazh më të mirë. Poçetino shpreson që skuadra e tij të luftojë për trofe këtë edicion, për titullin në Angli, Championsin e vërtetë dhe dy kupat angleze.

Pavarësisht mungesës së përforcimeve, Totenhemi është ekip shumë i mirë me portierin Joris (kampion i botës), mbrojtësit belgë Vertongen e Alderveireld, koreanojugorin Son, argjentinasin Lamela, belgun tjetër Dembele, danezin me klas Eriksen, dhe sidomos lojtarët e kombëtares së Anglisë, si Tripier, Rouz, Dajer, Ali e kapitenin Harri Kejn.

Sfidanti.al