Festat do t’i kalojë më shumë sesi kampion dimri. Skënderbeu e mbylli në mënyrën më të mirë vitin 2017, duke e fituar edhe ndeshjen e fundit të Superligës. Korçarët mposhtën Teutën 3-1 në fushën e tyre, një sukses aspak i vogël ndaj një kundërshtari që shpesh u ka prishur punë edhe brenda në shtëpi.
Edhe këtë herë, u duk se do të shkonte keq kur durrsakët kaluan në epërsi me penalltinë e realizuar nga Dediç, por Skënderbeu ishte shumë i fortë për t’u përballuar. Sulmuesi kryeor Ali Soue shënoi dy gola dhe skuadra e Ilir Dajës triumfoi 3-1 dhe e mbylli vitin me 37 pikë në kampionat, 9 më shumë se vendi i dytë.
Këtë vend, aktualisht e mban Flamurtari pasi fitoi ndeshjen në fushën e një rivali direkt për Europën. Kamza, shumë e lavdëruar këtë edicion, tashmë është hija e vetvetes duke pësuar humbjen e tretë radhazi. Vlonjatët e trajnerit Shpëtim Duro ia dolën në Kamzë madje thellë, 3-0, me rrjeta të shënuar nga Hoxha, Zhufo dhe Tungara.
Dy ekipe të mëdhenj të tjerë të Superligës patën fate të ndryshëm. Fitoi Partizani dhe u mund Kukësi. Kryeqytetasit bënë një lloj autokritike pas humbjes në Gjirokastër, duke mundur Vllazninë 3-1 në Tiranë. Në “Selman Stërmasi” pjesa e parë ishte e vështirë, pasi shkodranët u mbajtën fort në barazim 1-1, por dëshira për fitore e të besuarve të Starovës bëri diferencën, po ashtu si edhe cilësia më e madhe. Progni e Bardhi siguruan tri pikët në pjesën e dytë, pasi Ibrahimi e Çinari kishin shënuar në të parën, dhe tani Partizani është në vend të pestë me 24 pikë, jo larg pozicionit të dytë në renditje.
Për Kukësin, sezoni po shkon keq e më keq, edhe pse kampionët mbeten të katërtit, dhe vetëm 3 pikë larg vendit të dytë. Disfata me Luftëtarin është e vështirë për t’u pranuar, edhe pse gjirokastritët arritën fitoren e tretë radhazi në Superligë. Trajneri Milinkoviç nuk po ia del të marrë rezultate, ndërsa për miqtë shënuan Abazaj e Rroca, ndërsa për vendasit ngushtoi diferencën Elis Bakaj me penallti.
Po tre gola shënoi edhe ekipi tjetër fitues i javës së 16-të, Laçi. Kurbinasit e trajnerit Mezani u duk se e patën të vështirë ndaj Lushnjes, por nuk bënë hap fals. Rezhinaldo, Uzuni dhe Xhixha shënuan golat, ndërsa Sefa barazoi përkohësisht në pjesën e parë. Laçi është në vendin e tretë, shumë pranë Flamurtarit.
Sfidanti.al