Shumë të verdha, por jo gol për Kukësin, mbetet i dyti!

Nuk pritej të ndodhte ndaj Vllaznisë, edhe pse nuk u habit shumëkush nga hapi i gabuar i Kukësit. Barazimi 0-0 në shtëpi bëri që vendi i parë i mbajtur për kaq shumë javë të humbet, të paktën përkohësisht. Partizani ka 58 pikë ndaj 56 të kuksianëve kur duhen edhe 8 javë deri në përfundim të kampionatit.

Skuadra e trajnerit Gjoka, që fitoi me fat në Shkodër në fazën e tretë, nuk e pati me vete këtë herë këtë fat. Shënoi një gol në pjesën e dytë me Pero Pejiçin, veçse në pozicion të qartë jashtë loje, dhe luajti më shumë me zemër sesa me mendje. Krijoi pak raste, provoi ndonjëherë me Eminin (tri herë), Pejiçin (goditi shtyllën), Shametin, Kalenë apo Lenën, por pa sukses.

Edhe Vllaznia pati të paktën dy raste të pastra për shënim me Çinarin dhe Elis Bakajn, por shkodranëve nuk u prishi punë që nuk shënuan. Me 36 pikë, ata luftojnë për Europën nëse Skënderbeu fiton Kupën, ndërsa javën që vjen presin Partizanin në “Loro Boriçi”. Kukësi, ndërkaq, duhet të reagojë në ndeshjen tepër të vështirë në Durrës javën që vjen.

Në ndeshjen tjetër, Laçi bëri detyrën ndaj Korabit, duke fituar 2-0 dhe duke hedhur një hap drejt mbijetesës. Kurbinasit shënuan me anë të Lushkjes dhe Gjonit që në 11 minutat e para të ndeshjes duke pasur tani 28 pikë dhe duke shtuar presionin ndaj Flamurtarit që do të luajë nesër në Vlorë ndaj Skënderbeut. Jo vetëm kaq, por ecuria e Laçit bën që të ndihen të rrezikuar edhe Tirana e Teuta, që kanë përkatësisht 2 dhe 3 pik më shumë sesa ekipi i trajnerit Bardhi.

Renditja: Partizani 58, Kukësi 56, Skënderbeu 50 (-1), Vllaznia 36, Luftëtari 36, Teuta 31 (-1), Tirana 30 (-1), Laçi 28, Flamurtari 25 (-1), Korabi 12.

Sfidanti.al