Pas ndeshjes me Kastriotin, sulmuesi kryesor bardheblu, Taulant Seferi, bëri shaka duke thënë se “Majkëll Ngo nuk shënoi dot gol tjetër sepse u lodh”. Një batutë mes dy “peshave të rënda” të ofensivës së Tiranës që tregon sesa e qetë është gjendja në skuadër, dhe sesa optimiste është ajo, edhe pse Kukësin nuk e ka aspak larg. Seferi me dy golat e tij i tregoi kryeqytetasve rrugën drejt titullit kampion të radhës, ndërsa Ngo u tregoi tifozëve se ai nuk është një “kalë i ngordhur”, por mjaft i fuqishëm. Përgjigjen tjetër të saktë për Tiranën e dha trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu, pasi skuadra e tij u mund 3-0 në sfidën e Superligës. “Tirana ka shumë cilësi në skuadër”, – tha ai. Nëse bardheblutë kanë cilësi dhe harmoni, e po marrin pikët duke shënuar gola, ekipi tjetër kryeqytetas, Dinamo, duket se e ka humbur fillin. Edhe pse e ka një sulmues goli si Ibrahimin, sërish nuk po mundet që “nëndetësja” të “silurojë”, por të “silurohet”. Nuk kuptohet mirë se ku është defekti i bluve, tek lojtarët, stoli apo drejtuesit. Në verë u tha se ekipi do të luftonte për Europën, ndërsa në prag të kampionatit u kërkua titulli. Duket pak si shumë për këllqet e një ekipi që sapo është kthyer në Superligë pas 10 vitesh.
Sfidanti.al