Askush si Ançeloti nëse arrin të fitojë edhe ligën spanjolle!

Kur ishte lojtar, cilësohej si lojtar i ngadalshëm dhe trajneri i tij i asaj kohe, Arrigo Saki, thoshte se ishte shumë më keq në sprint sesa Gulit apo edhe Barezi. Gjithsesi, si trajneri Karlo Ançeloti ka qenë ndër të shpejtët duke arritur të kalojë mjaft të tjerë në fitimin e trofeve. Pasi mori 3 Champions me dy ekipe të ndryshëm (2 Milani, 1 Reali), italiani synon të vendosë një rekord krejt të veçantë. Nëse arrin të fitojë titullin kampion me Realin, do të plotësonte një cikël të madh. Më parë ka fituar Serinë A, Premier Ligën, Bundesligën dhe Ligën e Parë të Francës. Bashkë me La Ligën, do të bëhej i pari trajner fitues i të pesë ligave kryesore të Europës. Si numër titujsh, ai ka më pak sesa Fergusoni apo Murinjo, por ky rekord është diçka tjetër.

Sfidanti.al