Bajrami: Golin ia dediko familjen, gjithmonë kam besim te vetja!

Nuk dihet nëse e kishte humbur besimin në vetvete. Po kalonte një periudhë të vështirë Nedim Bajrami në Serinë A, me shumicën e ndeshjeve në stol, por ja ku i erdhi mundësia për të treguar veten, mundësi që e shfrytëzoi plotësisht. Mesfushori kuqezi shënoi një gol dhe shërbeu një asist në fitoren 3-1 të Empolit me përmbysje ndaj Udinezes, e njëkohësisht u shfaq ai që njohin tifozët. Mediat i dhanë nota të larta 22-vjeçarit, saktësisht 7.5, duke e cilësuar si më të mirin lojtar në fushë. Kështu “Mediaset”, “La Gazeta delo Sport” e shumë të tjera, duke komentuar se shqiptari ishte autor goli dhe po ashtu shërbeu asistin duke qenë vendimtar në lojën e skuadrës. Gazetarët italianë theksuan se Bajrami është lojtari më i mirë teknikisht i kësaj skuadre, ndërsa rikujtojnë se ai pati vështirësi edhe në fillim të sezonit të kaluar, por pastaj shpërtheu.

“E përgatitëm shumë mirë këtë ndeshje, së bashku, e dinim se kishim pak hapësira, – komentoi Bajrami, – ishte një fitore e rëndësishme. Edhe për veten time shkoi mirë, një gol dhe një asist. Unë kam qenë gjithnjë në formë, jam stërvitur mirë. Kam besim te vetja ime, dhe besoj se do të vazhdoj kështu. Golin ia dedikoj familjes sime”. Empoli ka 20 pikë në renditjen e Serisë A, që cilësohen shumë për një ekip të vogël, ndërsa ndodhet në mesin e renditjes. “Kampionati është ende shumë i gjatë, – vazhdoi ai, – e dimë sesa e vështirë do të jetë, por mendoj se ne jemi një ekip i fortë dhe se kemi mundësi të bëjmë një sezon shumë të mirë në Serinë A”. Bajrami ka 3 gola e 3 asistë këtë edicion në kampionatin italian, numra të rëndësishëm edhe pse nuk ka luajtur rregullisht dhe kjo shpresohet që të ndryshojë.

Sfidanti.al