Tani që po afron derbi midis Tiranës dhe Partizanit kanë shpërthyer sërish të njëjtat etiketime, për të dhënë përshtypjen se edhe këtu ndodhin gjëra të mëdha në futboll. “Vitrina e futbollit” është epiteti i viteve të fundit, gjë që përsëritet katër herë në sezon, ndërsa tani fantazia e optimistëve i ka kaluar limitet. “Zotata e futbollit shqiptar” i kanë quajtur së fundi ata që do të zbresin nesër në fushë, në “Seman Stërmasi”. Ndërsa Federata e respektoi këtë eveniment, pikërisht me mënyrën e saj prepotente.
Dje, në ditën e shënuar të përkujtimit të 104 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, katër ekipe nga treva shqiptare u ndeshën për një kupë simbolike që lidhet me 28 nëntorin. Por drejtuesit e lartë të institucionit, meqenëse prej kohësh këtë lojë e konsiderojnë si pronë private, nuk e lejuan zhvillimin e aktivitetit në Vlorë, ku do të merrte kuptim simbolika e turneut, por e transferuan pikërisht në “Selman Stërmasi”. Dhe kështu, shfrynë edhe një herë inatet personale që kanë me drejtuesit e Flamurtarit, bën një organizim mediokër për ditën e madhe, si dhe caktuan shtëpinë e gabuar për aktivitetin. Më parë kanë mbyllur stadiumet me periudha të gjata, për hir të ndonjë takimi të Kombëtares tonë apo të Kosovës, duke e penalizuar Vllazninë, por shpesh edhe Elbasanin, ndërsa tani fusin katër ekipe në “Selman Stërmasi”, në një mot të papërshtatshëm dhe tre ditë përpara derbit, ndërkohë që në “Elbasan Arena” nuk luhet deri në fundjavë… “Vitrina” e futbollit.