Lionel Mesi i paska thënë Barcelonës në korrik të këtij viti, se “faleminderit, por unë nuk dua të rinovoj kontratën”. Këtë e shkruan gazeta “Marka”, njërës prej “biblave” të shtypit sportiv në Spanjë. Në vazhdën e një historie të ndërtuar kështu, vjen edhe lajmi tjetër që Paris SG nuk ka hequr dorë nga ylli argjentinas, të cilin e kërkon pikërisht në 2018. A iu kujtohet zhurma mediatike për një klub misterioz që i ofroi miliona e miliona Mesit vetëm që të mos rinovonte? Ndoshta, ky klub mund të jetë PSG!
Në krye të këtij operacioni është vënë drejtori i ri sportiv i parizienëve, Patrik Kluivert. Ish-sulmuesi holandez, lojtar i Barçës në 1998-2004, mësohet se ka takuar babanë e Leos, në përpjekje për ta bindur që i biri të vijë në Paris në 2018, dhe mundësisht më shpejt, në verën e ardhshme. Këtë informacion e jep televizioni RTL. Ndërkaq, pak ditë më parë, mediat katalanase jepnin lajmin tjetër se Mesi do të niste bisedimet me klubin për rinovimin e kontratës, dhe kjo do të ndodhte pas El Klasikos ndaj Realit.