Kukësi ka qenë skuadër e majave, që në ditën e debutimit në Kategorinë Superiore, madje që nga konceptimi i ndërtimit, për të marrë pjesë në elitë. Në fillim stadiumi, më pas një ekip cilësor dhe staf të kualifikuar, si dhe grinta e presidentit Gjici, që herë herë ka kaluar në prepotencë. Largime të shpeshta trajnerësh dhe drejtuesish të lartë, por në fund gjithçka ka sjellë efekt pozitiv. Kukësi i tij ka thyer rekorde në përfaqësimet europiane, ka fituar një vit më parë Kupën e Shqipërisë, trofeun e dytë për nga rëndësia dhe tashmë po synon kurorën e kampiones. Pra strategjia e Safetit, sipas të cilës, druri ka dalë nga xheneti, ai ka vlejtur.
Por presidenti ka fituar edhe eksperiencë të mjaftueshme, për të kuptuar, se për të mbërritur tek titulli i madh duhet edhe diçka më shumë. Në një prononcim të fundit, Gjici është shfaqur i entuziazmuar nga puna e bërë nga FSHF vitet e fundit dhe veçanërisht titullari i saj. Ai i quan fantazi të disa kolegëve të tij, mungesën e korrektësisë së institucionit në shpërndarjen e fondit të solidaritetit. Pra përfundimi është, që Duka ka bërë një punë të shkëlqyer… ndërsa Kukësit i ka ardhur koha për të fituar kampionatin