Kjo e Milanit u bë një histori pak si bajate. Presidenti Silvio Berluskoni lëshoi një tjetër nga ato të vetat duke u shprehur se nëse gjithçka do të prishej në marrëveshjen me kinezët, ai do ta mbante Milanin për vete, ashtu si më parë, por do të ndërronte strategji. “Gjithçka është fiksuar për në 13 dhjetor, – tha ai, – veçse, edhe nëse gjithçka prishet, nuk ka problem, Milanin do ta marr përsëri dhe do të sillem ndryshe”. Ai premton se nëse kjo ndodh, skuadra e tij do të jetë e gjitha italiane dhe e re në moshë.
Bisedimet për shitjen e aksioneve të Berluskonit kanë vazhduar shumë gjatë dhe tani investuesit kinezë janë shumë pranë blerjes përfundimtare. Gjithsesi, duket se bisedimet kanë qenë shumë të vështira, përderisa Don Silvio ende e çon nëpër mend se mund të prishet marrëveshja që thuhet se është arritur. Tifozët e Milanit besohet se janë të shqetësuar, pasi vitet e fundit presidenti nuk ka pasur fuqinë financiare për të mbajtur në këmbë një skuadër të madhe.