Kjo është shifra e parave që besohet se Flojd Mejuedhër ka në bankë. Të paktën kështu shkruajnë mediat amerikane dhe britanike. Ish-boksieri amerikan, i tërhequr prej një viti, thjesht po shijon jetën në luksin më të shfrenuar dhe në mënyrën më të shpenguar të mundshme. i biri i një tjetër ish-kampioni bote, Flojd Junior kurrë nuk e ka fshehur dobësinë për paratë, aq sa edhe noka e tij është “Money”, “Paraja”.
Flojd nuk e ka problem të postojë në Instagram fotot e tij ekstravagante, faktin se ai është moskokëçarës, ndërsa shumë nga ata tifozë që e kanë bërë të pasur, që kanë blerë bileta për ta parë në ring, apo kanë blerë kartat e të drejtave televizive me pagesë, si dhe kapelet, fanelat apo dorezat e tij, sot mund të jenë njerëz të varfër. Natyrshëm, nuk ka faj ish-boksieri. Ai nuk është i vetmi.
Ndoshta, në ndonjë moment, mund të shohë ndonjë ëndërr të keqe, sikur në qyteti ku ai jeton gjendja të bëhet si në Alepo, në Mosul apo në Gaza, dhe atëherë mund të vinte një moment kur 800 milionë arsyet që e bëjnë të kërcejë hip hop, mund të mos jenë asnjë arsye e vetme që t’i kursejnë jetën nga ndonjë plumb qorr, apo bombë e hedhur nga ndonjë avion rus, amerikan apo francez.