Prag Tirana-Partizani me 15 000 tifozë, futbolli nuk pyet për rregullat!

Për herë të fundit kishte qenë kështu në 28 shkurt 2020. Pas plot 605 ditësh kthehen tifozët në derbin e kryeqytetit dhe në “Arenën Air Albania” sot pritet festë e vërtetë. Siç e kemi traditë, nuk pyesim aspak për rregullat, dhe në stadium për Tirana-Partizani priten rreth 15 mijë spektatorë, pra rreth 70 për qind e kapacitetit, ndërsa limiti i lejuar nga autoritetet është 30 për qind, pra rreth 7 000 vetë. Gjithsesi, për vetë derbin kjo është një mrekulli, dhe të dyja skuadrat do të përpiqen të japin maksimumin, siç janë përpjekur gjithmonë.

Tirana pritëse për fat nuk ka probleme të mëdha me mungesat. Trajneri Orges Shehi ka menduar për skemën 4-3-1-2, me Limajn prapa dyshes sulmuese Seferi-Ngo, por mund të ndodhë që titullar të jetë edhe Xhixha. Në të kundërt, Partizani ka shumë mungesa, plot 6. Mes tyre edhe lojtarë të rëndësishëm si Kardozo, Rrapaj, Kaçe dhe i riu Cara që ka qenë vazhdimisht titullar. Trajneri Ilir Daja pritet të ndryshojë skemën në krahasim me ndeshjen ndaj Kukësit, duke hedhur ekipin në fushë me 3-5-2, që mund të kthehet në 5-3-2.

Tirana e Partizani janë ndeshur 160 herë në elitë, me të kuqtë që kanë 68 fitore kundrejt 42 të bardhebluve, ndërsa në 7 ndeshjet e fundit kemi nga 2 fitore për secilin ekip. Tirana ka 11 pikë në krye të renditjes, Partizani vetëm 4.

Formacionet e mundshme

Tirana: Bekaj, Toshevski, Behiraçe, Hoxhallari, Ismajlgeci, Toli, Najdovski, Totre, Limaj, Ngo, Seferi.

Partizani: Hoxha, Sota, Belica, Shehi, A. Marku, Mala, Murataj, H. Marku, Musta, Filipoviç, Zhunior.

Sfidanti.al