Kur ke peshën e presionit mbi supe, kur të gjithë të quajnë pretendent kryesor, gjithçka kthehet si tek historia e Sizifit, që gjithnjë e ngjiste gurin deri në majë të kodrës, por pastaj i rrëzohej sërish poshtë. Gjithsesi, Partizani i ngjan një Sizifi modern, që në fund ka fund të lumtur dhe e ngjit gurin, sikur të ishte ndonjë film i Hollivudit.
Ndaj Apolonisë në “Elbasan Arena”, të kuqtë e trajnerit Ilir Daja morën më në fund kreun e Superligës duke mundur minimalisht 1-0 Apoloninë, e duke përfituar nga ndalimi në barazim 0-0 i Teutës në fushën e Vllaznisë. Java e 31-të punoi për kryeqytetasit, të cilët duhet thënë se punuan për veten, veçse u shpërblyen minimalisht për “normën” që realizuan. Futbollistët e Dajës krijuan 11 raste për shënim dhe në mënyrë të pabesueshme u ndalën sidomos nga portieri i fierakëve, Harizaj, por edhe nga gabimet e veta.
Jasir Asani ishte protagonisti kryesor, që nga minuta e 3-të e deri në fund, dhe ishte po ai që shënoi golin e fitores në minutën e 76-të. Partizani pretendoi edhe për dy penallti, ndërsa raste pastën gjithashtu Bitri, Bardhi, Murataj, Stenjo Zhunior, Çinari apo Bardhi.
Në “Loro Boriçi”, Vllaznia bëri më shumë sesa durrsakët, por nuk fitoi dot. Shkodranët krijuan pak raste të pastër, por gjithsesi ishin më të mirët në fushë, por Imeri nuk ia doli dot dy herë që tëë shënonte, ndërsa Teuta pati një rast tepër të pastër në minutën e 3-të shtesë me anë të Krasniqit, por e humbi. Në 45’+1, Hoxhaj goditi shtyllën pas një gabimi të portierit Frashëri.
Laçi luajti pak më herët dhe fitoi lehtësisht 2-0 ndaj Kukësit me golat e shënuar nga Regi Lushkja, duke iu afruar sado pak kreut. Një ditë më parë, Tirana u ndal në barazim 0-0 në fushën e Bylisit, ndërsa Skënderbeu fitoi në Kamzë ndaj Kastriotit.
Java 31: Partizani-Apolonia 1-0, Vllaznia-Teuta 0-0, Laçi-Kukësi 2-0, Bylis-Tirana 0-0, Kastrioti-Skënderbeu 0-2.
Renditja: Partizani 57 pikë, Teuta 56, Vllaznia 54, Laçi 53, Tirana 50, Kukësi 36, Kastrioti 31, Bylis 30, Skënderbeu 29, Apolonia 20.
Sfidanti.al