Manaj, Uzuni e Broja kanë 10 gola e sipër të shënuar këtë vit në Europë!

Janë plot tre sulmues kuqezinj që kanë më shumë se 10 gola në kontinent. Një sezon shumë i mirë për repartin ofensiv të kombëtares shqiptare me Armando Brojën, Rej Manajn dhe Myrto Uzunin, por padyshim edhe për Sokol Cikalleshin. Broja 19-vjeçar u bë i treti lojtar shqiptar me nivel shënimi në dy shifra, pra me plot 10 gola, ndërsa realizoi në Superligën e Holandës për Viteshen.

Ai nuk është i vetëm në këto nivele. Rej Manaj arriti në 11 rrjeta këtë edicion për Barcelonën B, që po shkon e sigurt drejt ligës së dytë spanjolle. Sulmuesi 24-vjeçar shënoi një gol shumë të bukur ndaj Ibisës në sfidën e fituar 2-1 në ministadiumin “Johan Krujf”. Me këtë fitore, Barcelona B u kualifikua për në plej of, pra i ka të gjitha mundësitë të luftojë për t’u ngjitur një kategori më lart.

I shkëlqyer Sokol Cikalleshi në Turqi. Sulmuesi kryesor i kombëtares për momentin realizoi dy gola për Konjasporin në fitoren 5-1 ndaj Karagymrykut. Edhe pse iu anulua një gol me anë të VAR-it, sërish kavajasni ishte protagonisti kryesor për ekipin që ndodhet në mesin e renditjes së Superligës turke. Përveç golave, Cikalleshi shërbeu edhe asistin për golin e shënuar nga shqiptari i Kosovës, Bytyçi.

Së fundmi, por jo për nga rëndësia, goli i shënuar nga Kristi Qose në Superligën e Çekisë. Mesfushori u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë në ndeshjen që ekipi i tij, Karvina, luajti në fushën e Pardubices. Ndeshja përfundoi 2-2 dhe Qose ka 7 rrjeta këtë sezon.

Sfidanti.al