“Pesëshja” e Partizanit apo “dyshja” e Tiranës, kush vlen më shumë për derbin?!

Duke përjashtuar Dinamon, viti 2022 duket i mbarë për ekipet e kryeqytetit. Tirana vazhdon të shkojë e sigurt drejt titullit duke shkelur radhazi rivalët, dhe këtë herë e pati radhën Teuta që u mund 2-0 në “Elbasan Arenë”. Taulant Seferi, sulmuesi ndoshta më i mirë i kampionatit, ishte ndëshkuesi i kampionëve, të cilët derisa pësuan gol po luanin më mirë sesa kryesuesit. Tirana ka tani 52 pikë, 9 më shumë sesa Laçi i vendit të dytë që do ta luajënesër ndeshjen me Egantian.

Gjithsesi, më shumë bujë bëri fitorja e Partizanit që mundi 5-0 Kukësin. Një rezultat që trajneri italian i veriorëve, Longo, ia faturoi gabimeve të arbitrit, por që është shumë i thellë për të pasur vetëm një fajtor. Trajneri Dritan Mehmeti duket se u ka bërë “magji” të kuqve, të cilët jo vetëm po shënojnë shumë, por edhe kanq shumë autorë golash. Kallaku, Skuka, Stenjo Zhunior, Lika dhe Marku ishin autorët ndaj kuksianëve në “Arenën Air Albania”. Nëse Tirana shkon drejt titullit, Partizani po i kthehet rrugës për në Europë, duke qenë më pranë Vllaznisë e Kukësit. Të premten luhet derbi në Arenë, Tirana-Partizani, dhe nuk dihet nëse do të ndikojnë më shumë 5 rrjetat e të kuqve apo dyshja e Seferit.

Java 23: Teuta-Tirana 0-2, Partizani-Kukësi 5-0; Sot, 13:45: Kastrioti-Skënderbeu, Laçi-Egnatia; 16:45: Vllaznia-Dinamo.

Renditja: Tirana 52 pikë, Laçi 43, Kukësi 38, Vllaznia 35, Partizani 33, Teuta 25, Egnatia 22, Dinamo 20, Kastrioti 18, Skënderbeu 17.

Sfidanti.al