Ndaj Bylisit shënoi plot 5 herë, diçka që nuk ndodhte prej kohësh. Duhet të kthehemi 8 vite prapa për të parë një Tiranë që të godasë kaq shumë, dhe kjo është një “dekoratë” jo e vogël për trajnerin e sotëm, Emanuel Egbo. Nigeriani, që jeton në Shqipëri që prej 2001-it, po ashtu, ka arritur 5 fitore në 5 ndeshje në stolin bardheblu, gjë që gjithashtu kishte kohë që nuk arrihej, që nga koha e Gugash Maganit në 2015.
Triumfet janë radhazi ndaj Partizanit, Flamurtarit, Laçit, Bylisit e Luftëtarit, ndonëse ballshiotët me të drejtë u ankuan për gjykimin. Me këtë ritëm, askush nuk habitet që kryeqytetasit janë pretendentë seriozë për titull, duke qenë vetëm 1 pikë prapa Kukësit kryesues të Superligës.
Por, çfarë ka bërë Egbo për të arritur suksesin? Vetë trajneri thotë se gjithçka është e thjeshtë. “Nëse nuk luan si skuadër, nuk mund të fitosh edhe po të kesh yje, – shprehet ai, – futbollistët duhet të jenë si vëllezër. Ata duhet të vijnë me kënaqësi në stërvitje, duhet të shkosh i kënaqur në punë, duhet të kesh pasion”.
E vërteta është se ish-portieri ka fituar respektin e lojtarëve për shkak se punon shumë. Po ashtu, mban distancën që duhet të ketë një trajner, ndërsa ka stabilizuar formacionin, e luan me një skemë të caktuar, të cilët duket se e njeh më mirë. Meritë e tij është qetësimi i situatës, pasi ka vendosur rregullat, nuk lejon mungesën e disiplinës, por po ashtu sillet mirë me futbollistët. Burime në klub e pranë skuadrës pohojnë se është trajneri që bën formacionin.
Kjo ka rritur vlerësimin nga rivalët, aq sa trajneri i Kukësit, Shpëtim Duro, pohoi se Tirana është sot për sot kundërshtari kryesor për titull. Gjithsesi, përvoja tregon se rreziku për Egbonë mund të jetë nëse pësohet ndonjë humbje, dhe varet sesi do të përjetohet kjo në klub. Që nga fundjava e ardhshme nis turi i forcës, me ndeshjet radhazi ndaj Teutës, Vllaznisë në Shkodër, Skënderbeut, me Kukësin jashtë fushe dhe pastaj derbi kundër Partizanit.
Sfidanti.al