Kohët janë të tjera, por magjia e këtij konkurrimi është si dikur. Skuadra e Kategorisë së Tretë, Shrusbëri, e tregoi gjithë mrekullinë e Kupës së Anglisë, kur ndali Liverpulin e madh, dominuesin e futbollit anglez dhe europian, duke i imponuar një tjetër ndeshje në raundin e katërt. Pikërisht ky përfundim krijoi një nga polemikat më të mëdha të sezonit në ishull, pasi trajneri liverpulas, Jurgen Klop, bëri deklaratën e tij.
“Ne nuk do të jemi në ndeshjen e përsëritur të Kupës, – deklaroi gjermani, – u premtova djemve dy javë më parë se do të kishin pushim në periudhën e ndërprerjes së kampionatit, dhe nuk e kam zakon ta shkel fjalën e dhënë. Në ndeshjen e kupës ndaj Shrusbërit do të luajë ekipi U23. Premier Liga na kërkoi ta respektojmë pushimin, dhe ne duhet të mendojmë për shëndetin e lojtarëve”.
Ndeshja përsëritëse pritet të luhet në 4 ose 5 shkurt, ndërsa Premier Liga ka planifikuar pushimin e dimrit në periudhën nga 2 deri në 16 shkurt, për të lejuar lojtarët që të shlodhen, në mënyrë që të jenë më të freskët në Angli dhe në Europë.
Gjithsesi, diskutimet ishin të shumta. Ish-ylli i Mançester Junajtidit, Rio Ferdinand, kritikoi fjalët e Klopit duke thënë se “lojtarët mund të bëjnë pushim, por jo trajneri”. Në të njëjtën linjë, ish-kapiteni i Liverpulit, Xhemi Karrager, që theksoi se “Klopi ka të drejtë për futbollistët, por të paktën ai duhet të jetë në stol për të respektuar kupën”.
Qëndrimin më të ashpër e mbajti pronari i klubit të vogël Akrington Stenli, që ndodhet gjithashtu në kategorinë e tretë. “Liverpuli duhet të përjashtohet dhe të gjobitet fort për këtë vendim që ka marrë në lidhje me Kupën”, – u shpreh Andi Holt, – Jurgen Klopi është një fatkeqësi, ndërsa Kupa e Anglisë është më e vjetra në botë”.
Një këshillë për Klopin vjen edhe nga kolegu i tij, trajneri i Mançester Junajtidit, Ole Gunar Solskjer. “Kur unë isha lojtar, Junajtidi vendosi të bojkotonte Kupën e Anglisë në vitin 2000, për të luajtur në Kupën e Botës për klubet, – tha ai, – por, mund t’iu garantoj, se ne u penduam shumë atëherë”. Mançester Junajtidi e humbi finalen e Kupës së Botës për klubet ndaj Flamengos në Brazil, dhe ndonëse fitoi Premier Ligën, skuadra e Sër Aleks Fergusonit nuk pati sukses në Champions.
Sfidanti.al