Partizani si “çifuti në shkretëtirë”, nuk e pranon asnjë stadium në kryeqytet!

Kemi stadiumin më të mirë në Ballkan, por kampionia e vendit nuk ka ku luan. “Arena Air Albania” nuk është gati të presë ndeshjen e Partizanit me Laçin, këtë fundjavë në Superligë, dhe kjo sepse fusha rrezikon të dëmtohet. Për fat të keq, edhe tapeti në stadiumin tjetër, “Selman Stërmasi”, po i nënshtrohet punimeve, dhe Partizani nuk mund të luajë as aty, ndërsa Tirana e ka ndeshjen e kësaj jave jashtë fushe, në Korçë.

Siç u pa ndaj Francës, fusha e “Arenës Air Albania” nuk është në gjendjen optimale, dhe Federata Shqiptare e Futbollit e përjashton kategorikisht që të luhet të shtunën. Federata i ka dhënë dy mundësi kampionëve, të luajnë në Durrës ose në Lushnje.

Burinme pranë Partizanit informuan se presidenti Gazmend Demi ishte i vendosur që të luante që këtë javë në Arenën e re, duke marrë përsipër shpenzimet për ndeshjen ndaj Laçit. Flitet se mund të negociohej shuma e 8 000 eurove si qira për ndeshjen, por problem mbetej edhe pagesa e rreth 200 punonjësve të sigurisë private.

As në Federatë, dhe as tek Partizani, nuk dinë të thonë nëse “Arena Air Albania” do të presë të paktën derbin e kryeqytetit, që zhvillohet javën e ardhshme. Pavarësisht shpenzimeve, të kuqtë si pritës besojnë se do të ishte me përfitim që ndaj Tiranës të luhej pikërisht në stadiumin e ri.

Sfidanti.al