Mbërritja e tij ishte një lajm i madh për të gjithë. Ilir Daja u konsiderua nga tifozët, lojtarët, drejtuesit dhe mediat si njeriu i duhur për stolin e Partizanit, ndërsa u prezantua në korrik të vitit 2020, e nisi menjëherë punën për projektin e madh. Ka kaluar afërsisht 1 vit e gjysmë dhe gjendja është përmbysur me trajnerin e njohur që tashmë i ka ndarë rrugës me kryeqytetasit. Burime në klub bëjnë me dijë se vendimi është marrë për largimin e tij, pas një mbledhjeje të zhvilluar tri ditë më parë. Jo vetëm kaq, por është menduar edhe për trajnerin e ri, që sipas të gjitha gjasave do të jetë Dritan Mehmeti.
Ish-ndihmësi i Skënder Gegës në sezonin kur Partizani u shpall kampion, është në stolin e ekipit B, dhe e ka drejtuar ekipin për disa kohë pas largimit të italianit Lerda. Burime në klub pohojnë se presidenti Demi ka biseduar me Mehmetin dy ditë më parë, por shtojnë se ende nuk është vendosur përfundimisht. Kandidatë mund të jenë edhe Shpëtim Duro dhe Skënder Gega, por nuk përjashtohet mundësia edhe për ndonjë tjetër.
Këtë sezon, Partizani i drejtuar nga Daja ishte një zhgënjim, në vendin e 5-të në Abisnet Superligë, 15 pikë pas Tiranës kryesuese, ndërsa pak ditë më parë humbi derbin. Ekipi ka prodhuar lojë, por ka bërë shumë gabime, ndërsa burime brenda skuadrës thonë se lojtarët nuk kanë qenë të qetë dhe nuk e kanë pëlqyer mënyrën e komunikimit të trajnerit. Një ndryshim i tillë situate as që pritej pranë fundit të sezonit të kaluar, pasi Partizani ishte pranë titullit me fitoren në Durrës ndaj Teutës, por pastaj bëri “vetëvrasje” me humbjen ndaj Vllaznisë në “Arenën Air Albania” dhe durrsakët u shpallën kampionë.
Sfidanti.al