Partizani pritet “ta djegë” të hënën, me Bylisin luan në stadiumin e tij

Mund të quhet kurorëzim i një pune vërtet të madhe. Partizani do ta luajë në stadiumin e tij ndeshjen e radhës në Abisnet Superligë, atë ndaj Bylisit këtë të hënë në orën 16:00. Klubi kryeqytetas ka shfaqur edhe pamjet e impiantit me 4 000 vende që ndodhet në kompleksin e ri sportiv në zonën e Tufinës, ku gjithçka duket gati qoftë edhe për standardin që kërkon kampionati. Federata Shqiptare e Futbollit ka dhënë lejen pasi mbikqyri ecurinë e punimeve për të plotësuar kushtet në tribuna, në sistemin e ndriçimit dhe në aspektin e sigurisë. Kjo ndaj Bylisit do të jetë ndeshja e dytë që Partizani do të luajë në stadiumin e tij pas asaj në Kupën e shqipërisë ndaj Orikut të Vlorës. Të kuqtë kanë botuar edhe çmimet e biletave, që do të jenë 300 lekë në tribunën përballë dhe 1 000 lekë në tribunën kryesore.

Pas gjashtë vite punimesh, me shumë ndërprerje e vështirësi ligjore e financiare, njëri nga klubet më të mëdhenj në vend tashmë mund të thuhet se po e bën krejtësisht funksional kompleksin e tij të ri. Në total, kostoja e kompleksit shkon në mbi 15 milionë euro, gjë që shpjegon se përse investimi është shtrirë në 6 vjet dhe ende nuk është mbyllur. Hoteli është në fazën e pajisjes së brendshmi, ndërsa vonesat tani vijnë nga fakti se ende nuk janë shembur dy ndërtesa ekzistuese në territorin që përfshin qendra sportive. Partizani e ka marrë një ndihmë edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit që ka investuar për fushën, stolat, ndriçimin, portat apo dhomat e zhveshjes.

Sfidanti.al