Për klubin e kuq, gjykimi i fundit i Lorenc Jeminit në Superligë ishte mbushja e kupës. Partizani nuk duroi dot më, por kërkoi spjegim publik nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila është edhe organizatorja e kampionatit. Pasi postoi në rrjetet sociale pamjet e golit të anuluar ndaj Kukësit, ku Ekuban duket në pozicion të rregullt, Partizani botoi edhe deklaratën e plotë me pretendimet e tij. Në atë që quhet “moviola” e ndeshjes, të kuqtë theksojnë se u anulua gol i rregullt, nuk u dhanë dy penallti, nuk u dhanë kartonë të kuq për Kukësin. “Jemi në pritje të supestarit të radhës në ekran për të na sqaruar këto raste të diskutueshme, – shkruhet të në deklaratë, – ndryshe, FSHF duhet të na sqarojë në mënyrë institucionale përse këto raste të diskutueshme në ndeshjet ndaj rivalëve direktë janë në dëm të FK Partizanit”. Klubi i presidentit Demi shton edhe se në 14 javë Superligë, pesë ndeshje të tij janë vendosur nga gjyqtarët, ku me siguri e ka fjalën edhe për takimet ndaj Skënderbeut apo në Shkodër ndaj Vllaznisë. Nga ana tjetër, sipas të kuqve, komisionet në Federatë dënojnë shpesh ekipin e tyre, herë me kartona për lojtarët, herë me gjoba për klubin dhe herë me ndëshkim për tifozët.