Partizani kalon një pengesë për titullin, 1-0 ndaj Skënderbeut!

Partizani kaloi një provë të madhe në garën për titullin kampion, duke mposhtr një rival direkt, edhe pse me shumë vështirësi. Një gol i Idriz Bathës në minutën e 39-të ndihmoi kryeqytetasit të mos shkëputeshin nga Kukësi dhe të distancoheshin nga kampionët në fuqi. Me Mazrekajn e Bathën në formacion, pasi kaluan dëmtimet, të kuqtë ia dolën të përballonin një rival të fortë, që në “Selman Stërmasi” luajti një nga takimet më të mirë të këtij sezoni.

Ishte një ndeshje jashtëzakonisht e fortë, prej dy ekipesh vërtet pretendente. Skënderbeu luajti me autoritet, duke krijuar dy raste të pastër për shënim me Hamdi Salihin, fillimisht kur rezultati ishte 0-0 dhe pastaj, pak minuta pas golit të Idriz Bathës. Ishte edhe lojë e ashpër, me kartona të verdhë, fillimisht më shumë për korçarët që ishin nervozë. Duket se e ndjenin rëndësinë e ndeshjes, si dhe ishin të acaruar nga kritikat e presidentit Takaj për luhatjet e deritanishme, por edhe nga presioni i trajneri Daja për të reaguar.

Pavarësisht nga përfundimi, kjo përballje tregoi se edhe Partizani, edhe Skënderbeu mbeten rivalë të fortë në garën për titull, po ashtu si Kukësi, dhe se konkurrimi do të vazhdojë deri në fund. Jo më kot, sfida e javës së fundit do të jetë Skënderbeu-Partizani, dhe do të luhet në stadiumin e Korçës. Ajo sfidë, ndoshta mund të përcaktojë titullin.

Pas 27 javësh, Kukësi ka 55 pikë me golaverazh më të mirë se rivalët, Partizani ka po 55, ndërsa Skënderbeu është në kuotën 50.

Sfidanti.al