Partizani fiton me sulmuesit, tani është 2 pikë larg kreut!

Nga një ekip që jepej si për mesin e tabelës në fillim të sezonit, në pretendentin e dytë për titull, ndryshimi është i madh. Merita i takon lojtarëve dhe trajnerit të Partizanit, Daja, ndërsa të kuqtë pas fitores 3-0 ndaj Bylisit u ngjitën në distancë vetëm dypikëshe nga Teuta që kryeson Superligën. Kishte 7 vjet që kryeqytetasit nuk fitonin në fushën e tyre ndaj Bylisit, por tani sikur morën hak për gjithë këtë vuajtje të gjatë. Autorë të golave ishin sulmuesit, së pari Stenjo Zhunior që në sekondën e 15-të, pastaj Jasir Asani në 69’ dhe së fundmi, Erald Çinari gjashtë minuta para fundit. Daja aktivizoi në 71’ tre lojtarë të tjerë, dhe pikërisht Ferhan Hasanin, Kardozon dhe Carën.

Sulmuesi shkodran pati disa raste të tjera dhe ishte shumë aktiv, po ashtu Asani iu afrua golit, siç bënë edhe Kardozo dhe Ferhan Hasani. Kishte kohë që kryeqytetasit nuk shënonin shumë gola, ndonëse janë ekipi me numrin më të madh të realizuar këtë sezon të Superligës, 37, katër më shumë se Laçi. Ndoshta fakti që luajtën në “Arenën Air Albania” në një fushë më së fundi të mirë, i ndihmoi. Javën që vjen Partizani ka mundësi të afrohet edhe më shumë ndërsa pret Kastriotin, e Teuta shkon në Korçë ndaj Skënderbeut. Kështu mbyllet faza e tretë e Superligës, dhe java e 27-të pati këto rezultate: Partizani-Bylis 3-0, Apolonia-Teuta 0-2, Laçi-Vllaznia 0-0, Skënderbeu-Tirana 0-0, Kastrioti-Kukësi 0-3. Renditja: Teuta 49 pikë, Vllaznia e Partizani nga 47, Laçi 45, Tirana 42, Kukësi 35, Kastrioti 30, Bylis 26, Skënderbeu 23, Apolonia 17.

Sfidanti.al