Interi drejt titullit me përkushtim të madh, thotë “vëllai i madh” Konte!

Ndeshjet nuk po bëhen që nuk po bëhen të bukura, por e vërteta është që as në kohën e Zhoze Murinjos nuk ishin kështu, për të mos folur në kohën e “Interit të Madh” të “Magjistarit” Helenio Herrera. Për momentin, as Antonio Konte nuk e ndryshon ADN-në e Interit, por përsa i përket mentalitetit fitues po ia del. Ndeshja tepër e vështirë ndaj Kaljarit në “San Siro” u fitua 1-0, suksesi i 10-të radhazi në Serinë A, edhe pse goli u shënua vetëm në minutën e 77-të nga mbrojtësi Darmian. Gjithsesi, Konte që e di mirë sesa e vështirë është të dalësh kampion, vrapoi si i çmendur pas golit për të përqafuar të vetët (në foto).

“Unë vrapova pas golit sepse doja të përgëzoja lojtarët e mi, – tha ai, – ata meritojnë të shpërblehen, të lavdërohen. Unë ndihem vëllai i tyre i madh”. Interesant fakti që lojtarë të Interit u stërvitën pas ndeshjes në fushën e “San Siros”, dhe Konte ndihet i lumtur për këtë. “Kjo tregon se ne nuk i lemë asgjë rastësisë, – shprehet trajneri, – janë djem të jashtëzakonshëm, pas ndeshjes stërviten, edhe pse u kam dhënë një ditë pushim më shumë. Vetëmohimi dhe sakrifica e tyre flet shumë për frymën e skuadrës së Interit”. Zikaltërit kryesojnë Serinë A me 73 pikë pas 30-të, ndërsa Milani ka 63, Juventusi 62 dhe Napoli 59.

Sfidanti.al