Thuajse nuk ka ndeshje në Superligë që Flamurtari të mos ketë punë me arbitrat. i anulojnë gola, i përjashtojnë lojtarë, pastaj dënohet për tifozët, dhe duket sikur është shënjestër e preferuar, edhe kur arbitrat kanë të drejtë. Kjo, pasi me ekipe të tjera japin edhe vendime të gabuara, gjithnjë në favor të këtyre të tjerëve.
Gjithsesi, Flamurtari ka kohë që e ka të “prishur biografinë”, por e kundërta e tij është Partizani. Kanë ikur kohët kur ish-trajneri Starova bënte “gërnjë” me FSHF-në dhe Dukën, dhe duket se strategjia e re po funksionon (ndoshta ka edhe “pjesë sekrete” në akordin mes tyre)!
Skuadra e trajnerit Skënder Gega arriti një fitore që duhet ta quajmë të merituar, por që u realizua kur Flamurtari ishte me 10 lojtarë. Andi Ribaj, sulmuesi i vlonjatëve, u përjashtua nga loja pas festimit të golit, i akuzuar për sherr me tifozët vendas. Këta të fundit e prishën punën, nga ana e tyre, pasi kaluan rrethimin e brendshëm për të sulmuar fotografin e Flamurtarit.
Në gjithë këtë kaos, rezultati përfundoi 3-1 për të kuqtë, që u shkëputën në 10 pikë nga Teuta e vendit të dytë. Kukësi mund të afrohet në -8 nëse fiton me Kamzën nesër në “Elbasan Arena”. Jurgen Bardhi shënoi golin e parë për Partizanin në 11’, Ribaj barazoi në 40’. Në pjesën e dytë, Gega hodhi në fushë Rubin Hebajn në 66’, dhe sulmuesi shkodran fitoi ndeshjen me golat e tij që erdhën shpejt, në minutat 68 e 72. Partizani ka 49 pikë ndaj 39 të Teutës dhe 38 të Kukësit (me një ndeshje më pak).
Sfidanti.al