Partizani e Vllaznia po kanë sukses në Europë me … transferimet!

Do të dëgjojmë edhe për disa kohë lajme të tilla. Skuadrat e Superligës shqiptare, ashtu si ato në të gjithë botën marrin përforcime këta muaj, dhe kështu bënë Partizani e Vllaznia. Të kuqtë lajmëruan arritjen e marrëveshjes me David Atanakovskin, 25-vjeçarin që luan si mbrojtës i majtë e që ka luajtur me Shahter të Karagandit në Kazakistan dhe Makedonija Gorçen në vendin fqinj. Kontrata e tij është 1-vjeçare me të drejtë rinovimi për një sezon tjetër. Te kryeqytetasit kanë ardhur edhe Telushi, Romero, Cvetanovski, Da Silva, Rexhepi dhe Hoti, ndërsa janë larguar disa futbollistë. Partizani i trajnerit Dritan Mehmeti vazhdon fazën përgatitore në Slloveni, ndërsa në korrik do të luajë në Ligën e Konferencës ndaj Saburtalos së Gjeorgjisë.

Nuk mbetet prapa as Vllaznia. Në pritje për të vazhduar fazën përgatitore në Austri në 29 qershor, shkodranët bënë afrimin më të fundit.  Klubi ka firmosur me mesfushorin sulmues Kristijan Vulaj. Shqiptari i Malit të Zi ka rënë dakord për akord 3-vjeçar, ndërsa në moshën 24-vjeçare ka arritur të jetë pjesë edhe e kombëtares malazeze, si dhe ka luajtur me Petrovacin dhe Deçiçin e Tuzit. Në ekip ka lojtarë të tjerë të rinj si Boshnjaku nga Prishtina, Shehi e Kaina Nunjes, dhe janë rinovuar kontratat me Jonuzin dhe Hakajn. Rejan Alivoda kapiteni 19-vjeçar i ekipit të të rinjve, kontratë 3-vjeçare me të drejtë për ta zgjatur edhe 2 vjet të tjera. Të larguarit po ashtu janë të shumtë si Krymi, Da Silva, Fangaj, Adili, Dianje apo Mustendanagiç. Vllaznia nis në 21 korrik aventurën në Ligën e Konferencës, në raundin e dytë ndaj Universitateas së Krajovës nga Rumania.

Sfidanti.al