Tallja e Al Helaifit: Reali nuk e donte Championsin, por fitoren e saj e festoi për një javë!

Ka të drejtë sheiku nga Katari, pavarësisht se shprehja e urtë e futbollit thotë që “fituesi nuk kritikohet”. Fituesi në këtë rast është pikërisht Reali i Madridit, i cili triumfoi në Champions, madje siç thotë Naser Al Helaifi “në mënyrë të merituar”. Gjithsesi, presidenti i Paris SG ka një kritikë apo një tallje për madrilenët, duke u kujtuar Superligën Europiane. E përditshmja spanjolle “Marka” e pyeti se çfarë mendon për projektin e krijuar nga Reali, Barcelona dhe Juventusi (si dhe nga klube të tjerë), dhe Al Helaifi u përgjigj se “ai projekt ka vdekur”. “Gjithsesi, – shtoi arabi, – nuk e kuptoj sesi në një anë Reali nuk dëshiron të marrë pjesë në Champions, dëshiron që të mos ekzistojë, por nga ana tjetër e festoi për një javë fitoren e saj”.

Sfidanti.al