Partizani e Kukësi, apo refreni “kë të qajmë më parë”!

As nuk mund të imagjinohej që kampionia e vendit të ishte sot thuajse barabar në distancë me vendin e dytë dhe me vendin e plej autit në Superligë. Kjo është gjendja e Partizanit, tashmë të drejtuar nga trajneri Sormani dhe nga shefat e lartë si presidenti Gazmend Demi dhe drejtori sportiv Olsi Rama. Humbja me Teutën e solli pikërisht në këtë gjendje, pak ditë pas katastrofës në derbi.

E qartë që Partizani nuk është për në vend të pestë, e për të qenë 3 pikë larg vendit të 7-të apo 6 pikë plej autit. Skuadra që doli kampione me Skënder Gegën ka potencial shumë më të madh, por futbolli është i tillë që merr hak kur tallen me të. Një vepër e mirë (për të mos përdorur fjalën kryevepër që është e tepër në Shqipëri), jo vetëm do kohë që të ndërtohet, por edhe është shumë delikate dhe mund të shkatërrohet shumë lehtë. Partizani e bëri këtë gabim në verë, dhe tani në skuadër mbretëron çoroditja, me disa lojtarë që nuk e dinë se ku janë dhe përse janë aty (Solomon, Braun, Hakaj, Boldor apo edhe Melo), me një Asan të larguar për të marrë disa euro më shumë, dhe një Malë që e keqmenaxhuan “as këtej dhe as andej”.

Me gjasë, një trajner si Sormani nuk e meriton situatën ku ndodhet, dhe Partizani i tij ka dhënë shenja të mira edhe në Laç, edhe në ndeshjen e dytë të Kupës me Besëlidhjen, edhe në derbin ndaj Tiranës.

Momenti i Sormanit më kujton momentin e Aleks Fergusonit (po guxoj dhe po e bëj krahasimin) pas humbjes 1-5 të derbit me Mançester Sitin në 1989. Pas 3 vjetësh, skocezi i madh “nuk po qulloste gjë” dhe tifozët vinin në “Old Traford” me parullat “largoni trajnerin”. Mançester Junajtidi nuk e largoi, i besoi deri në fund dhe fitoi ato që fitoi. Nuk dihet nëse Sormani do të fitojë aq shumë, por nëse trajnerit nuk i japin besim Partizani do të bëhet si “Pëlhura e Penelopës”.

Si një “Pëlhurë” e tillë është bërë Kukësi, edhe pse në renditje është më mirë se Partizani, duke qenë (ende) i dyti. Gjithsesi, goditjet që i janë dhënë institucionit të trajnerit në klub duken të pariparueshme, dhe ndeshja me Vllazninë ishte një kapitullim. Çfarë mund të bëjë Orges Shehi aty nuk iu po ia dilte Shpëtim Duro? Aq më tepër në një ekip që e mori në mars, kur sezoni përfundon në maj! Kushti “ose dil kampion, ose zhduku” nuk besohet se është në ndonjë klub tjetër, këtë nuk e ka bërë as Partizani, as Tirana dhe as Skënderbeu, të paktën me aq sa dimë. Kjo do të thotë se trajneri do të vijë te Kukësi për të marrë paratë, dhe për të shtyrë ditën, duke qenë nën presion. Kjo situatë i ka ardhur shumë për shtat Tiranës që me meritë po shkon drejt titullit kampion, të parit në 10 vjet, të 25-it në histori dhe në 100-vjetorin e klubit.

Sfidanti.al