Quhet Mladen Milinkoviç dhe është ndoshta i vetmi trajner i huaj që po arrin të sfidojë tabunë e futbollit shqiptar. Po të përjashtojmë ndonjë emër të rrallë si Haxhiosmanoviç apo Levi, asnjë joshqiptar nuk ia ka dalë të mbijetojë në klimën e egër të Superligës. Trajneri serb i Luftëtarit po, madje i duhen dhënë më shumë merita se atyre që u përmendën më lart. Haxhiosmanoviç e Lëvi dolën kampionë, por me skuadra me emër dhe të forta si Vllaznia e presidentit Myftar Çela në 2001 dhe Skënderbeu i viteve të fundit.
Milinkoviç po arrin suksesin me Luftëtarin e Gjirokastrës, një skuadër e cilësuar modeste dhe e sapoardhur nga Kategoria e Parë. Fitorja 2-0 ndaj Korabit në stadiumin e Gjirokastrës bëri që skuadra bluzi të kalojë Tiranën dhe të ngjitet në vendin e katërt në Superligë. Me 28 pikë muk mund të pretendojë të arrijë në treshen e parë, por edhe pozicioni që ka, nëse e mban deri në fund, mund ta kualifikojë për në Europë. Diçka që për Luftëtarin nuk e kishte menduar askush në fillim të edicionit.
Sfidanti.al