Mirë Partizani që u çmend me Flamurtarin, po Skënderbeu pse harroi futbollin?!

Vuajtje e madhe për tifozët edhe në fitore. Këtë i bëri Partizani përkrahësve të tij, brenda në “Selman Stërmasi” të kryeqytetit, ndonëse përballë pati një ekip shumë pak të përgatitur si Flamurtari. Vlonjatët, të mbetur prapa jo për faj të tyre si lojtarë e si trajnerë, jo vetëm mundën të pakësonin dëmet, por edhe përfituan nga gabimi i rëndë i sulmuesit vendas Solomon, që mori kartonin e kuq në pak ditë, për shkak të një pakujdesie.

Përjashtimi ndodhi pas vetëm gjysmë ore lojë, dhe për fat ekipi i Franko Lerdës kishte shënuar që më parë, pikërisht me anë të Solomonit. Protagonist në të mirë e në të keq, që në fund do të mbahet mend si realizuesi i golit të fitores, ndonëse skuadra vuajti shumë prej tij. Flamurtari u përpoq mjaft në epërsi numerike, ndonëse dukej qartë se nuk e kishte forcën për të përballuar kampionët. Gjithsesi, portieri Alban Hoxha i kaloi disa momente të vështira, që për fatin e tij nuk e ndëshkuan.

Në fund, të kuqtë u barazuan pasi Zeqaj u përjashtua gjithashtu për herë të dytë në pak ditë, dhe Partizani është tani vetëm 1 pikë larg vendit të parë që mbahet nga rivali i përjetshëm, Tirana.

Nëse Partizani zhgënjeu tifozët, çfarë mund të thuhet për atë që bëri Skënderbeu? Si mundet që një ekip me dy fitore dhe i vlerësuar për organizimin, përvojën e lojtarëve kryesorë e të trajnerit Daja, të harrojë të luajë futboll brenda në Korçë? Pasojë e kësaj harrese ishte fitorja 3-0 e Bylisit, me ballshionët që merituan gjithçka për atë që u pa në fushë. Për ekipin e ardhur nga Kategoria e Parë, shënuan Peposhi, Guindo dhe madje edhe portieri Isli Hidi, me penallti.

Sfidanti.al