Pa trajner dhe pa fitore. Më keq se kaq nuk mund të nisej një ndeshje dhe Lushnja e mori goditjen e pritshme që në minutën e 3-të në sfidën e Superligës ndaj Teutës. Edhe pse në stadiumin e saj “Roza Haxhiu”, skuadra lushnjare duket e paracaktuar për të qenë sërish viktimë, ndërsa durrsakët me fat për të lënë prapa humbjen e rëndë dhe të dyshimtë ndaj Skënderbeut.
Gjithsesi, kjo ishte vetëm përshtypja e parë, ndërsa në futboll ndryshimet mund të jenë kaq të shpejta, sa edhe të papritura. Një i tillë ndodhi në Lushnje, me vendasit që reaguan në mënyrë madhështore, si një dedikim për ish-trajnerin e tyre, Artan Bano, që e kërkojnë të rikthehet. Golit të shënuar nga Dediç, iu përgjigj po brenda pjesës së parë mbrojtësi Marku, ndërsa pas pushimit u dha zemra në fushë për të përballuar një kundërshtar superior në cilësi.
Pavarësisht nga sulmet e pafundme të Teutës, pavarësisht nga rastet e humbur nga durrsakët, lushnjarët rezistuan dhe shfrytëzuan fatin që e patën në anën e tyre. Të padëmtuar këtë herë nga gjykimi, gjetën fitoren në minutën e tretë shtesë, me rrjetën e shënuar nga sulmuesi veteran, Sefa. Suksesi 2-1 e lë sërish në fund ekipin nga Myzeqeja, veçse fare pranë rivalëve për mbijetesë si Luftëtari, Vllaznia apo vetë Teuta.
Durrsakët, ndërkaq, humbën jo vetëm ndeshjen, por edhe trajnerin Magani. Peqinasi fajësoi disa nga lojtarët duke thënë se “pesë prej më të vjetërve nuk meritojnë fanelën”, ndërsa u duk i dorëzuar. “Na goditën dy herë në portë dhe pësuam dy gola, padyshim është faji im, po e mbyll këtu, dhe nuk nxitohem pasi kam aq përvojë sa për të marrë vendimin e duhur”, – ishin fjalët e tij. Nuk dihet se cili është problemi i Teutës që ishte në krye të Superligës pas dy javëve të para.
Sfidanti.al