Futbollisti i ri i Dinamos së Zagrebit, Filip Benkoviç, ka marrë disa oferta nga klube të mëdhenj evropianë dhe, sikurse qëndrojnë tani punët, ka shumë mundësi që ai të përfundojë te Mançester Junajtidi. Trajneri i “djajve të kuq”, Zhoze Murinjo, fundjavën e kaluar, dërgoi skautët e tij në ndeshjen derbi mes Dinamos dhe Hajdukut të Splitit, ku ata ndoqën lojën e mbrojtësit të ri 20-vjeçar të mësipërm që, shumë shpejt, mund t’i sjellë para të mëdha klubit zagrebas.
Benkoviçin shumëkush e konsideron si yllin e ardhshëm të futbollit kroat dhe atij evropian. Fakti që, krahas lojës së shkëlqyer që bën në mbrojtje, ai arrin që të kërcënojë edhe portat e kundërshtarëve, ia rrit atij edhe më shumë vlerën dhe disa klube evropiane kanë shprehur interesim të madh për të. Sidoqoftë, Junajtidi është i pari në radhë, pasi thuhet se ka mundësi që futbollisti kroat që në janar të nënshkruajë kontratë më “djajtë e kuq”, megjithëse Benkoiviçi do të mund të luajë me Dinamon e Zagrebit deri në fund të këtij sezoni. Cmimi i Filip Benkoviçit në pazar është tetë milionë euro, por sigurisht që klubi kroat do të kërkojë shumë më tepër për këtë futbollist të ri mjaft të talentuar.
Sfidanti.al