Nuk është vetëm Reali i Madridit në Euroligë. Edhe pse spanjollët duken të ndryshëm nga të tjerët falë edhe Luka Donçiçit, rivalët me siguri nuk do të mungojnë. Njëri nga më të mëdhenjtë, padyshim, CSKA e Moskës. Kampionët e Rusisë dhe kampionët e Europës para dy sezoneve e treguan forcën e tyre në Stamboll ndaj Efes Pilsenit, duke “bënë namin” e duke fituar 98-80. Jo pak ndaj një rivali të fortë, të përkrahur nga 6 500 tifozë fanatikë.
CSKA-ja “internacionale” e nisi ndeshjen ngadalë, për ta përfunduar fort. Në fushë ishte francezi Nando De Kolo (18 pikë), francezi tjetër Leo Vesterman, spanjolli Sergio Rodrigez (14 pikë), amerikanët Uill Klajburg (20 pikë), Kori Higins, Otelo Hanter (13 pikë) dhe Kajl Hajns, ndërsa rusët ishin të përfaqësuar nga Vitali Frixhon, Semjon Antonov, Andrej Voronceviç, Viktor Hriapa dhe Nikita Kurbanov (i vetmi titullar). Të gjithë rusët bashkë realizuan vetëm 20 pikë, por kjo nuk e shqetëson shumë klubin e famshëm moskovit, përderisa arrihen fitoret.
Sfidanti.al