Një gol i shënuar nga Rroca në minutën e 22-të ishte e papritura e javës së 25-të të Superligës. Nëse habitemi që Tirana i merr barazimin Skënderbeut, e quajmë edhe më shumë suprizë që Luftëtari i Gjirokastrës mund Teutën, madje brenda në Durrës. Suksesi 1-0 e ngjiti skuadrën gjirokastrite përsëri në vendin e katërt në renditjen e kampionatit, duke lënë pas Vllazninë e Tiranën. Ekipi i trajnerit Milinkoviç ka tani 33 pikë ndaj 31 të shkodranëve dhe 30 të tiranasve. Lufta për Europën vazhdon.
Në “Niko Dovana”, vendasit nuk është se nuk u përpoqën, dhe nuk mund të ndodhte ndryshe me një ekip që drejtohet nga një trajner me temperament si Gugash Magani, që për më tepër ende rrezikon të bjerë nga kategoria. Pesë pikë epërsi ndaj Flamurtarit dhe Laçit nuk janë asgjë. Gjithsesi, përpjekjet e Mustës apo Markoviçit nuk bënë punë, dhe po ashtu Luftëtari pati rastet e veta me Lamçen e Bregun.
Sfidanti.al