Pak ditë pasi i shkarkoi të gjitha bateritë (kur themi të gjitha, do të thotë të gjitha), Barcelona nuk qe në gjendje të fitonte një ndeshje ku duhej më shumë forcë sesa klas. Në fushën e stadiumit dikur të frikshëm “Riazor”, përballë një ekipi të vendosur të jepte shpirtin në fushë për të marrë pikë e për të mbijetuar, dhe në një mot me reshje të dendura, katalanasit nuk patën energjinë e duhur për të vazhduar ndjekjen e Realit në ligën spanjolle.
Mesi nuk ishte Mesi, mbrojtja gaboi disa herë, Iniesta, Rakitiç hynë në pjesën e dytë, ndërsa Nejmar nuk ishte fare, faktorë që ndikuan jo pak. E tha Pike sapo përfundoi ndeshja se “pasi realizuam përmbysjen ndaj PSG-së do të firmosnim për të humbur këtu”. Luis Enrike shton se “vetëm ata që e kanë provuar se çfarë kemi kaluar këtë javë, mund ta kuptojnë këtë që ndodhi sot”.
Kampionët e Spanjës u zunë në befasi sidomos me goditjet standarde që sollën golat e shënuar nga Hoselu dhe Bergantinos, ndërsa Luis Suarez barazoi përkohësisht me të nisur pjesa e dytë. Barcelona do ta ketë të vështirë të mbrojë titullin, kur Reali ka ende ndeshje për të luajtur dhe kur “El Klasiko” do të luhet në “Santiago Bernabeu”.
Sfidanti.al