Lerda duhet t’i bëjë monument Hoxhës, Partizani si Reali i Murinjos!

Është gjë e madhe kur një ekip ka probleme të brendshme dhe arrin të fitojë. Partizani duket pikërisht i tillë, si një familje e acaruar, por që sërish i realizon detyrat e veta. Fitorja ndaj Luftëtarit ishte personifikimi më i qartë i kësaj gjendjeje, pasi erdhi pas konfliktit të brendshëm që largoi nga ekipi zv. trajnerin Dritan Mehmeti, ndërsa skuadra u prek jo pak nga sherri thuajse fizik.

Sesa të vështirë e pati Partizani, kjo u duk në pjesën e parë, kur vetëm Alban Hoxha e shpëtoi nga pësimi i golit, duke pritur penalltinë. Trajneri Franko Lerda duhet t’i ngrejë një përmendore kapitenit të tij, pasi nëse nuk do të ishte fituar kjo ndeshje, kushedi se çfarë do të kishte ndodhur. Drejtuesit të falin barazimin me Kukësin, jo atë me vendin e parafundit në renditje. Kaq i shqetësuar është Lerda nga gjendja, saqë nuk pranoi të festonte pas golave të shënuar.

Ky Partizan ngjan pak me Realin e Murinjos, një “Kullë Babeli”, ku sherret kalonin nga njëra anë tek tjetra, me protagonistë vetë trajnerin, kapitenin Iker Kasijas, zv. kapitenin Sergio Ramos dhe superyllin Kristiano Ronaldo.

Pas pushimit, kampionët arritën të fitonin, duke ndryshuar në formacion, e duke ndryshuar edhe skemën. Partizani u ngjit i vetëm në krye të renditjes së Superligës shqiptare, me 21 pikë, duke lënë prapa rivalët. Kryeqytetasit në fuqi i shënuan golat me sulmuesit Erald Çinari dhe Jasir Asani. Ky i fundit fitoi një penallti, të cilën e ekzekutoi vetë.

Me këtë fitore, kryeqytetasit u ngjitën në kuotën e 21 pikëve, duke qenë të shkëputur 3 pikë nga Tirana dhe Kukësi. Gjithsesi, duhet pritur edhe ndeshja mes Vllaznisë dhe Bylisit për të parë se cila do të jetë renditja përfundimtare e Superligës pas javës së 11-të.

Sfidanti.al