Futbolli shqiptar sërish tronditet nga ngjarjet e rënda. Dhuna shpërtheu në ndeshjen mes Këlcyrës dhe Maliqit, të vlefshme për Kategorinë e Dytë, dhe njëri nga lojtarët miq u dërgua në spital. Futbollisti me inicialet A. XH. u godit me grusht në nofull nga një lojtar i Këlcyrës, dhe u transportua me të shpejtë për në spitalin e Gjirokastrës pasi gjendja e tij ishte kritike.
Mësohet se dhunuesi ishte lojtari i Këlcyrës, Aristidh Çoli, i cili ka precendente në ngjarje të tilla. Çoli është dënuar edhe më parë nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, por e vazhdon karrierën. Përveç kësaj, në 15 tetor të këtij viti, ai është ndaluar nga policia në Përmet, sepse ushtronte veprimtari të paligjshme për lojërat e fatit.
Në ndeshjen Këlcyra-Maliqi, kapiteni i vendasve, Kule, mori karton të kuq në pjesën e parë, dhe pas kësaj tentoi të godiste trajnerin e miqve, Egli Malësia. Ky i fundit deklaroi se lojtarëve të tij iu rrezikua jeta në Këlcyrë, dhe se një dhunë të tillë nuk e ka parë në asnjë fushë tjetër në Shqipëri. Pritet që Komisioni i Displinës në Federatë të mblidhet në mesjavë, dhe lojtari i Këlcyrës, Çoli, rrezikon përjashtim deri në 6 muaj nga aktiviteti,
Sfidanti.al