Kur nuk beson as vetë Skënderbeu! Tirana shëtit në “bulevardin” e Korçës!

Nuk dihet mirë se përse presidenti Ardian Takaj vendosi ta thërriste Skënder Gegën për ta pasur trajner të skuadrës. Një kapiten që ka dalë kampion me gjasë nuk mjafton që të shpëtojë një anije që po mbytet, dhe duket se vetë Skënderbeu nuk beson se mund të mbijetojë. Superliga ka ende disa të panjohura, por mes tyre nuk janë as se kush do të dalë kampion, dhe as se kush do të dalë në vend të fundit. Tirana e ka fituar tashmë (praktikisht) titullin, ndërsa Skënderbeu e ka “fituar” Kategorinë e Parë. Historia e nisur në 2010 me mbështetjen e politikës dhe FSHF-së po merr fund, dhe aq autostradë është rruga drejt rënies, saqë Tirana nuk e pati aspak të vështirë të fitonte 4-0 në stadiumin “Skënderbeu”. Siç mund të thuhet, kryeqytetasit “shëtitën” në “bulevardin” e Korçës. Xhixha në 37’, Totre në 62, Nikqi në 68’ dhe Seferi me penallti në 88’ ishin autorët e golave, ndërsa ky i fundit u duk lideri i bardhebluve. Tirana kryeson kampionatin me 63 pikë në 28 ndeshje, ndërsa Skënderbeu ka vetëm 20, 11 pikë larg vendit që të dërgon në plej aut.

Sfidanti.al